Deklarata e Besimit

Misioni ynë për t’i ndihmuar gratë ta duan më shumë Perëndinë me jetën e tyre, është formuar nga bindjet tona për Perëndinë dhe nga ajo që Ai na ka zbuluar për Veten nëpërmjet Biblës.
Ja një përmbledhje e shkurtër e asaj që besojmë se është e vërtetë:

Kredoja e Nikesë

Ne besojmë në një PERËNDI, ATIN e gjithëpushtetshëm; Krijuesin e qiellit dhe të tokës, dhe të të gjitha gjërave të dukshme dhe të padukshme.

Ne besojmë në një ZOT, JEZU KRISHTIN, Birin e vetëm-lindur të Perëndisë, të lindur nga ATI para të gjitha botëve. Perëndi prej Perëndie, Dritë prej Drite, Perëndi i vërtetë prej Perëndie të vërtetë, i lindur, jo i krijuar, i së njëjtës substancë me Atin; me anën e të cilit u bënë të gjitha gjërat; i cili, për ne njerëzit dhe për shpëtimin tonë, zbriti nga qielli, dhe u mishërua prej Frymës së Shenjtë dhe Virgjëreshës Mari, dhe u bë njeri; dhe, gjithashtu, u kryqëzua për ne në kohën e Ponc Pilatit; Ai vuajti dhe u varros; dhe ditën e tretë u ringjall, sipas Shkrimit të Shenjtë; dhe u ngjit në qiell, dhe qëndron në anën e djathtë të Atit; dhe do të vijë përsëri me lavdi, për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit; dhe Mbretëria e Tij nuk do të ketë mbarim.

Dhe besoj në  FRYMËN E SHENJTË, ZOTIN DHE JETËDHËNËSIN; i cili dërgohet nga ATI dhe BIRI; i cili adhurohet dhe përlëvdohet bashkë me ATIN dhe BIRIN; i cili foli me anë të Profetëve. Dhe besoj në një Kishë të Krishterë të shenjtë. Njoh një Pagëzim për faljen e mëkateve; dhe pres ringjalljen nga të vdekurit, dhe jetën e botës së ardhshme. Amen.

Përmbledhje e Bindjeve

Bibla është Fjala e pagabueshme e Perëndisë.
Perëndia ekziston si tre në Një: Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë. 

Hyjnia e Jezusit, lindja nga virgjëresha, njeri pa mëkat, vdekja shlyese në kryq, ringjallja trupore dhe ngjitja në qiell. 

Të gjithë  mëkatuan dhe u privuan nga lavdia e Perëndisë.
Shpëtimi është vetëm me anë të hirit, vetëm nëpërmjet besimit dhe vetëm në Krishtin.
Fryma e Shenjtë banon në besimtarët, duke i fuqizuar ata për të jetuar jetën e krishterë.
Krishti do të kthehet për të gjykuar të gjallët dhe të vdekurit.
Ringjallja e trupit: jeta e përjetshme për të gjithë besimtarët e vërtetë në qiell dhe dënimi i përjetshëm për të gjithë jobesimtarët në ferr.
Kisha është e përbërë nga besimtarë të vërtetë nga çdo fis, gjuhë dhe komb. Besimtarët janë urdhëruar t’u shpallin të tjerëve lajmin e mirë të ungjillit.